Dorëheqjet e drejtuesve të institucioneve në varësi nuk kanë sjellë ndryshime të dukshme: sipas verifikimit të Vox News, deri më 28 tetor faqet zyrtare të disa agjencive vazhdojnë të paraqesin të njëjtët drejtues. Kryeministri Edi Rama u kishte kërkuar ministrave dorëheqjet e tyre, me afat përfundimi të hënën, 26 tetor.
Drejtuesit kanë dorëzuar letrat, por qeveria nuk ka bërë publike një listë se cilat dorëheqje janë pranuar, kush është larguar dhe kush do t’i zëvendësojë.
Cilët figurojnë ende në detyrë
- Ilir Binaj: më 23 tetor u raportua dorëheqja e tij si drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, por faqja e Administratës Tatimore e shfaq ende në këtë post.
- Besmir Beja: dorëheqja e tij u raportua po më 23 tetor, megjithatë faqja e Administratës Doganore e ka ende drejtor të Përgjithshëm.
- Viola Haxhiademi: figuron në faqen e KESH-it si administratore, edhese SPAK e ka marrë të pandehur zyrtarisht.
- Marjeta Përlala: vazhdon të shfaqet si drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
- Sadleva Bodo: mbetet në krye të Burgjeve dhe sot ka marrë vendim për transferimin e Erion Veliajt nga burgu i Durrësit në atë të Fierit.
Rivlerësim në vend të largimeve
Vetë Rama kishte thënë se drejtuesit do të qëndronin në detyrë dhe më pas do t’i nënshtroheshin një procesi rivlerësimi të performancës. Tani flitet për rivlerësim dhe mundësi rikonfirmimi ose rehabilitimi, jo për një valë zëvendësimesh.
Vox News vë në dyshim ndryshimin real: nëse drejtuesit punojnë në të njëjtën zyrë, me të njëjtat kompetenca, ndërsa presin vendimin e qeverisë, procesi ndryshon pak nga përshtypja fillestare e një “spastrimi”. Më 22 tetor, ky medium kishte raportuar se ministrat u kishin mbledhur drejtuesit dhe se procesi duhej të mbyllej më 26 tetor.