Lajme Nr. 0058/2026

Policia rrugore me kontroll nga zyra: 14 segmente rrugore nën radar që nga janari

Nga 1 janari pritet të nisë monitorimi me radarë inteligjentë në 14 segmente rrugore me gjatësi totale afro 200 kilometra. Policia ka nisur trajnimin e efektivëve që do ta ndjekin trafikun nga Qendra e Monitorimit.

Policia rrugore me kontroll nga zyra: 14 segmente rrugore nën radar që nga janari
Fig. 01

Radarët inteligjentë dhe sistemet e avancuara të monitorimit të trafikut pritet të vihen në punë nga 1 janari në akset kryesore të vendit. Faza e parë mbulon 14 segmente rrugore me gjatësi totale afro 200 kilometra.

Pajisjet janë instaluar para disa muajsh në një pjesë të rrugëve më të përdorura, ndërsa tani po përfundojnë përgatitjet për nisjen e operimit. Sipas informacioneve, Policia e Shtetit ka nisur trajnimin e një grupi efektivësh që do t’i ndjekin dhe interpretojnë të dhënat e radarëve nga Qendra e Monitorimit të Trafikut. Ata do të kenë në dispozicion sisteme inteligjente për të identifikuar shkeljet dhe për të ndjekur lëvizjen e mjeteve në kohë reale.

Për punonjësit e angazhuar në këtë detyrë pritet një rishikim page, që sipas informacioneve mund të arrijë deri në 1800 euro.

Teknologjia parashikon përdorimin e sistemeve kombëtare të mbikëqyrjes tokësore, detare dhe ajrore, me pajisje stacionare dhe të lëvizshme. Radarët do të regjistrojnë dhe transmetojnë të dhëna për pozicionin, kursin, shpejtësinë, kohën dhe përmasat e objektivit. Kamerat do të fotografojnë dhe filmojnë lëvizjen e mjeteve, duke krijuar një bazë të dhënash për identifikimin e shkeljeve. Sistemi parashikon edhe kamera me rreze aktive, sensorë dhe pajisje që funksionojnë me frekuenca radioje.

Segmentet e para përfshijnë akset që lidhin Tiranën me Durrësin, Elbasanin, Fierin dhe Vlorën, si dhe zona të Kavajës, Rrogozhinës dhe Lushnjës. Ndër to janë Tiranë–Durrës (32 km, nga Sheshi Shqiponja te Mbikalimi i Portit), Tiranë–Elbasan (26.4 km, nga TEG-u në Bradashesh), Fier–Vlorë (24 km) dhe Unaza e Fierit (21.5 km). Në listë hyjnë gjithashtu Durrës–Plazhi i Unazës, Durrës–Kavajë, unazat e Kavajës dhe të Lushnjës, Kavajë–Rrogozhinë–Lushnjë, Lushnjë–Fier, Vorë–Ahmetaq, Qafë-Kashar–Rinas–Ahmetaq, si dhe kryqëzime e rampa lidhëse me gjatësi 5 km.

Me vënien në punë të radarëve, kontrolli i Policisë Rrugore nuk do të varet vetëm nga patrullat në terren, por edhe nga teknologjia që regjistron lëvizjen e automjeteve. Këto 200 kilometra do të shërbejnë si fazë fillestare e një sistemi më të gjerë, që synon të përfshijë gradualisht edhe akse të tjera.

Burimet dhe metodologjia

Ky artikull bazohet në burime zyrtare, dokumente, të dhëna publike dhe dëshmi të verifikuara në mënyrë të pavarur. Kemi kërkuar koment nga palët e përmendura. Personat e përmendur gëzojnë prezumimin e pafajësisë derisa të provohet e kundërta me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Dosja
Nr. 0058/2026
Publikuar
2 nëntor 2026
Përditësuar
2 nëntor 2026
Gjatësia
325 fjalë

Keni vënë re një pasaktësi? Na shkruani për korrigjim.