Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka publikuar një letër të shkruar me dorën e tij, në të cilën përshkruan atë që pretendon se i ka thënë ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, gjatë takimit në burg. Njëkohësh�m ai mohon çdo lidhje me organizimin ose financimin e protestave studentore.
Veliaj i kërkon kryeministrit Edi Rama të nxjerrë prova për këto aludime dhe thotë se nuk do të lejojë askënd të cenojë dinjitetin e tij. “Dua të siguroj socialistët se unë nuk e gjuaj shtëpinë time socialiste me gurë, por as nuk lejoj të gjuajë me gurë askush mbi dinjitetin tim”, shkruan ai. Më tej shton: “Unë vërtet kam më pak liri sesa Kryeministri, por kam shumë herë më tepër dinjitet se ai”.
Aludimet se ka organizuar apo financuar protestat ai i quan “haluçinacione bolshevike”. Sipas tij, e gjithë e vërteta e takimit me Gogun gjendet në letrën e shkruar me dorën e tij.
Në shënime, Veliaj thotë se takimi u zhvillua të premten në orën 22:30 dhe se Gogu u paraqit pas 20 muajsh. Kryeministrin e shënon me inicialin “R” dhe ministrin me “TG”. Sipas tij, Gogu i ka thënë se Rama ka qenë personalisht i përfshirë në transferimin dhe izolimin e tij në burg, si dhe në çështje si lejet për spital, takimet dhe kontaktet me miqtë e familjarët.
Veliaj pretendon se kryeministri e ka anashkaluar ministrin e Drejtësisë dhe ka vendosur tri kërkesa ndaj tij. E para ishte të pranonte përfshirjen në çështjen “Flamingot – Studentët”, përndryshe do t’i shtoheshin akuzat për “prishje të rendit kushtetues” dhe rrezikonte 100 vjet burg në burgjet 313 dhe 302.
Kërkesa e dytë ishte të hiqte dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe t’ia delegonte pushtetin Arbër Hajdarit. E treta ishte të ndërpriste konsultimet me avokatin Plarent Ndreca.
Në fund, Veliaj i drejtohet Ramës: “Sfidoj Kryeministrin e vendit të nxjerrë një provë të vetme për aludimet e protestave. Ndryshe ik!”. Publikimi e thellon përplasjen mes tij dhe kryeministrit, ndërsa në qendër të saj janë e ardhmja e drejtimit të Bashkisë së Tiranës dhe pretendimet për presion politik gjatë qëndrimit të tij në burg.