Investigime Nr. 0036/2026

ALTA Banka në Serbi nën hetim, dyshohet për daljen e 50 milionë eurove drejt Moskës e Shkupit

Banka Kombëtare e Serbisë ka bërë kallëzim penal ndaj ALTA Bankës dhe personave përgjegjës të saj, ndërsa Prokuroria heton dyshimet për transferime të kapitalit jashtë vendit.

ALTA Banka në Serbi nën hetim, dyshohet për daljen e 50 milionë eurove drejt Moskës e Shkupit
Fig. 01

Banka Kombëtare e Serbisë ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë për Krimin e Organizuar kundër ALTA Bankës dhe disa personave përgjegjës të saj. Banka është në pronësi të biznesmenit Davor Macura, i cili raportohet të ketë lidhje të afërta me Partinë Përparimtare Serbe (SNS) të presidentit Aleksandar Vuçiq.

Më 27 tetor, Prokuroria kërkoi të dhënat për të gjitha transaksionet e bankës drejt vendeve të huaja. Më 29 tetor, kërkesa u zgjerua posaçërisht me konvertimin e valutave dhe daljen e fondeve nga llogaritë. Një ditë më pas, Prokuroria iu drejtua Ministrisë së Brendshme dhe Shërbimit për Luftën kundër Krimit të Organizuar (SBPOK), për të verifikuar veprimtarinë e bankës dhe të personave përgjegjës në Bankën Qendrore.

Sipas mediumit serb “Vreme”, avokati Ivan Niniq kishte ngritur më herët shqetësime për një proces të nxituar të transferimit të kapitalit jashtë Serbisë, drejt llogarive dhe subjekteve juridike në Moskë dhe Shkup. Kryetari i Partisë Demokratike në Serbi, Srdan Milivojeviq, pretendoi se ishte përgatitur transferimi i 50 milionë eurove nga ALTA Banka drejt një institucioni financiar jashtë vendit.

Opozita maqedonase kërkoi sqarime nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, duke dyshuar se vendi mund të përdorej si pikë tranziti për paratë drejt Moskës. Banka Kombëtare e Serbisë kishte deklaruar se pretendimet e pakonfirmuara mund të shkaktonin shqetësim të pajustifikuar te publiku. Deri tani, destinacioni përfundimtar i 50 milionë eurove nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Pas revokimit të licencës, procedurat e falimentimit do t’i administrojë Agjencia e Sigurimit të Depozitave, me vendim gjykate. Banka Qendrore garantoi se depozitat e siguruara, deri në 50 mijë euro për çdo depozitues, mund të tërhiqen sipas procedurave, ndërsa klientët do të informohen se në cilën bankë mund t’i marrin paratë.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse janë kryer transferime të paligjshme dhe kush mban përgjegjësi për gjendjen financiare dhe veprimtarinë e bankës.

Burimet dhe metodologjia

Ky artikull bazohet në burime zyrtare, dokumente, të dhëna publike dhe dëshmi të verifikuara në mënyrë të pavarur. Kemi kërkuar koment nga palët e përmendura. Personat e përmendur gëzojnë prezumimin e pafajësisë derisa të provohet e kundërta me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Dosja
Nr. 0036/2026
Publikuar
1 nëntor 2026
Përditësuar
1 nëntor 2026
Gjatësia
294 fjalë

Keni vënë re një pasaktësi? Na shkruani për korrigjim.