Plarent Ndreca, avokat i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, pretendon se ministri i Drejtësisë Toni Gogu i ka shkuar klientit të tij në qeli të premten vonë në natë dhe i ka përcjellë një mesazh nga kryeministri Edi Rama. Sipas avokatit, kështu i ka treguar vetë Veliaj.
Sipas Ndrecës, Gogu i ka thënë Veliajt se vjen me porosi të kryeministrit dhe i ka përcjellë tekstualisht fjalët e tij. Mesazhi pretendohet të ketë qenë se kjo është hera e fundit që Rama i drejtohet si “babai politik”, se Veliaj duhet të dorëzojë mandatin urgjentisht, të delegojë pushtetin te emrat që do të caktohen nga kryeministri dhe të heqë dorë nga avokati Ndreca. Në të kundërt, pretendohet se Veliaj do të transferohej në burgun 302, SPAK do të orientohej të niste hetime për minim të rendit kushtetues dhe ai do të “kalbej në burg”.
Ministri Gogu e ka pranuar takimin, por jo mesazhin. Ai ka thënë se ka shkuar në qeli si mik i Veliajt dhe njëkohësisht si ministër, për t’u njohur me pretendimet që kishte kryebashkiaku.
Pretendimet e avokatit kanë nxitur kërkesa që Prokuroria e Posaçme të nisë hetime kryesisht, mbi bazën e deklaratave të Ndrecës. Në këtë kuadër, theksohet se Gogu dhe Rama duhet të merren në pyetje si persona në dijeni, ndërsa Veliaj të pyetet për atë që ka ndodhur në qeli.
Nëse pretendimet vërtetohen, Rama dhe Gogu mund të përgjigjen penalisht për shantazh, kërcënim dhe shpërdorim detyre. Në bashkim të dënimeve, ata rrezikojnë 3 deri në 7 vite burg, pasi bëhet fjalë për zyrtarë që përdorin autoritetin e tyre për të shtrënguar dikë të veprojë kundër vullnetit të tij.
Gogu është mik i kahershëm i Veliajt dhe ka qenë ddhëndërr i tij në martesë, ndërsa është edhe jurist në profesion. Deri tani, pretendimet mbeten deklarata të avokatit dhe nuk janë verifikuar nga organet e drejtësisë.