Politikë Nr. 0103/2026

Hapja e basteve online shtyhet përsëri: Malaj thotë se ligji po rishikohet

Ministri i Financave tha në Komisionin e Ekonomisë se ligji për bastet sportive online po rishikohet, ndaj licencimi i 10 operatorëve nuk ka nisur ende.

Hapja e basteve online shtyhet përsëri: Malaj thotë se ligji po rishikohet
Fig. 01

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi në Komisionin e Ekonomisë se ligji për bastet sportive online po rishikohet edhe një herë, ndaj operimi i tyre nuk do të nisë para përfundimit të këtij rishikimi. Ligji u miratua në shkurt të vitit 2024, por gara për 10 licencat nuk është hapur ende.

Çështja u ngrit gjatë diskutimit në komision nga Igli Cara, që foli për informalitetin në tregun e basteve dhe mungesën e të ardhurave për buxhetin. “Prej 7 vitesh në buxhet të shtetit nga bastet nuk ka fituar, nuk i keni të ligjëruara, dhe sot është plotësisht informal dhe të gjithë këtë faturë po ja faturoni biznesit të ndershëm”, tha ai.

Malaj pranoi se kuadri ligjor dhe aktet nënligjore janë përfunduar. “Ne kemi mbaruar të gjithë kuadrin ligjor sa i përket basteve online, VKM-të respektive. Qeveria po e rishikon edhe një herë ligjin për të pasur një mbikëqyrje të kujdesshme për të mos pasur probleme sociale. Pasi të mbarojë rishikimi i ligjit aktual do të fillojë operimi i lojërave të fatit”, deklaroi ministri.

Në shkurt 2024 mazhoranca miratoi rikthimin e basteve sportive vetëm në formatin online. Ligji parashikon një treg të kufizuar me 10 licenca dhe kërkon identifikimin e pjesëmarrësve përmes dokumenteve të identitetit. Pikat fizike të basteve ishin mbyllur më 1 janar 2019.

Ministri nuk sqaroi nëse rishikimi do të prekë numrin e licencave, kriteret e përzgjedhjes, detyrimet financiare apo vetëm mekanizmat e kontrollit dhe mbrojtjes sociale. Nuk është përcaktuar as data e fillimit të operimit. Nëse nevojiten amendamente, ato duhet të kalojnë edhe në Kuvend, çka mund ta zgjasë procesin.

Ndërkohë, aktiviteti i palicencuar vazhdon jashtë kontrollit të institucioneve dhe shteti nuk arkëton të ardhura nga operatorë të autorizuar.

Burimet dhe metodologjia

Ky artikull bazohet në burime zyrtare, dokumente, të dhëna publike dhe dëshmi të verifikuara në mënyrë të pavarur. Kemi kërkuar koment nga palët e përmendura. Personat e përmendur gëzojnë prezumimin e pafajësisë derisa të provohet e kundërta me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Dosja
Nr. 0103/2026
Publikuar
4 nëntor 2026
Përditësuar
4 nëntor 2026
Gjatësia
276 fjalë

Keni vënë re një pasaktësi? Na shkruani për korrigjim.