Policia e Shtetit ka vendosur gjoba prej 5000 lekësh ndaj 16 protestuesve që gjatë tubimit të 2 nëntorit bllokuan bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë. Është hera e parë që zbatohet akti normativ i miratuar pak ditë më parë, i quajtur paketa “Anti-Dhunë”.
Akti parashikon gjoba deri në 500 mijë lekë për rastet më të rënda të mosbindjes ndaj urdhrave të policisë. Qeveria e miratoi pesë ditë përpara protestës.
Sipas njoftimit të Policisë, protestuesit kanë penguar qarkullimin e automjeteve dhe nuk iu bindën thirrjeve të përsëritura të punonjësve përmes megafonit për të liruar rrugën. Janë plotësuar 16 procesverbale për kundërvajtje administrative, në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, sipas pikës 2 të nenit 24/1.
Nga 16 masat, 14 u vendosën ndaj personave që u shoqëruan në momentin e protestës, ndërsa dy të tjera ndaj personave të identifikuar nga pamjet filmike. Secili është gjobitur me 5000 lekë.
Policia bëri të ditur se specialistët e Hetimit të Krimeve në Komisariatin Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj dy shtetasve të mitur. Ata dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe të maskuar, kryen veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të organizuar nga studentët. Materialet iu dërguan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.