Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, pretendohet se ka vizituar fshehurazi të paraburgosurin Erion Veliaj në burgun e Fierit, mbrëmjen e së premtes më 30 tetor, për t’i përcjellë një mesazh që i atribuohet kryeministrit Edi Rama. Pretendimi nuk është konfirmuar nga institucionet.
Sipas versionit që po qarkullon, vizita nuk është regjistruar në fletoren e burgut. Gogu pretendohet se ka mbërritur me urgjencë, i veshur sportiv dhe me kapele në kokë, dhe se ka shkuar drejt e te qelia pa dritare e Veliajt, ku të dy kanë qenë vetëm.
Gogu pretendohet t’i ketë thënë Veliajt se ishte i detyruar t’i përcillte disa gjëra: “Jam me porosi të KM këtu.” Sipas këtij versioni, mesazhi i atribuohet Ramës, i cili do të kishte thënë se kjo ishte hera e fundit që i drejtohej si “babai politik”, dhe se nga ajo ditë do t’i drejtohej vetëm si kryeministër.
Kërkesat e pretenduara ishin katër: dorëzimi urgjent i mandatit, delegimi i pushtetit te emra që do të caktoheshin nga Rama, heqja dorë nga avokati Plarent Ndreca dhe pranimi i përfshirjes në çështjen “Flamingo”. Në të kundërt, Veliaj do të transferohej në burgun 302, SPAK do të orientohej të nisë hetime për minim të rendit kushtetues dhe ai do të “kalbej në burg”.
Veliaj pretendohet se u përgjigj menjëherë: “dhe sikur 100 vite burg të bëj, nuk ja marr fytyrën fëmijëve të mi”. Ngjarja do të ketë zgjatur pak minuta.
Për dy ditë me radhë Veliaj nuk ka mundur ta njoftojë askënd për atë që ndodhi. Të hënën në mëngjes, avokati i tij Plarent Ndreca e ka takuar dhe e ka mësuar episodin. Ky version, që nuk është verifikuar nga burime të pavarura, pretendon se Rama bën presion në emër të SPAK.