Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë me një deklaratë pas protestës së së shtunës në Tiranë, ku studentët nuk i pranuan deputetët demokratë dhe kërkuan largimin e tyre nga tubimi. Berisha përgëzoi studentët dhe gjimnazistët, ndërsa sulmoi drejtuesin e Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori.
Ai vlerësoi praninë e të rinjve dhe qëndrimin e tyre përballë ndërhyrjes së Policisë. Berisha përsëriti kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe për një qeveri kujdestare, e cila sipas tij do të bënte të mundura zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Mesazhi drejtuar studentëve
Në deklaratë, Berisha shprehu mirënjohje për studentët dhe gjimnazistët, të cilët sipas tij i kanë rezistuar sulmeve të narkobanditëve që donin ta shtypnin protestën me dhunë.
“I treguan sot regjimit se dorëheqja e Edi Ramës është kushti i të gjitha kushteve për një kapitull të ri në paqen sociale të vendit.”
Ai i ftoi qytetarët dhe forcat politike të bashkohen në mbështetje të revoltës studentore.
Akuza për përçarje
Pjesa më e ashpër e reagimit lidhej me largimin e deputetëve nga protesta. Berisha pretendoi se pas kësaj qëndronte një përpjekje e Ramës për ta përçarë tubimin, duke e drejtuar gishtin nga aktivistët e Qorit dhe duke i quajtur “Jago të revoltës studentore”.
Ai tha gjithashtu se në këtë përpjekje kishin qenë të përfshirë persona të angazhuar nga Policia, të cilët sipas tij “morën përgjigjen e merituar”.
Të rinjtë kërkuan që protesta të mbetet studentore dhe të mos kthehet në aktivitet të partive politike.