Një autobot me naftë, i nisur nga Durrësi drejt Kosovës, u mbajt i bllokuar katër ditë në Doganën e Morinës për parregullsi në plumbçet doganore dhe më pas u lejua të vijojë udhëtimin. Sipas një denoncimi, lirimi erdhi pas ndërhyrjes së zv.drejtorit të Doganave, Erald Delilaj, ndërsa rasti ngre dyshime për kontrabandë nafte.
Sipas të dhënave të denoncimit, ngarkesa udhëtonte me praktikën e tranzitit nr. 5271, datë 28 gusht 2026, me autobotin me targa AB73*ZH / 0541*XC. Mjeti transportonte gasoil, me pronar të deklaruar të ngarkesës shtetasin kosovar Burim V., ndërsa e drejtonte shoferi Vjonis B.
Gjatë kontrollit të kryer nga shërbimet doganore dhe grupi i antikontrabandës tokësore në Morinë, u konstatuan parregullsi te plumbçet me numra 26ALP1103185 dhe 26ALP1103186. Doganierët ia referuan çështjen Departamentit Operativ Hetimor, përmes Sektorit të Monitorimit, dhe njoftuan Drejtorinë e Hetimit.
Plumbçet shërbejnë për të garantuar që malli nuk është hapur apo manipuluar gjatë tranzitit, ndaj parregullsitë kërkojnë verifikim të integritetit të ngarkesës. Në të kundërt, situata do të tregonte për kontrabandë nafte.
Denoncimi kërkon verifikimin e dokumentacionit të procedurës: nëse shkelja është konstatuar zyrtarisht, çfarë masash janë marrë dhe mbi çfarë baze është lejuar vijimi i tranzitit. Ai ngre pyetje se kush e autorizoi lirimin pas katër ditësh, nëse u krye kontroll fizik i plotë i ngarkesës, nëse u verifikua sasia e naftës dhe ku ndodhen procesverbalet e aktet përfundimtare.
Rastet e dyshuara të kontrabandës së naftës nga Shqipëria drejt Kosovës, përmes Morinës, janë denoncuar vazhdimisht në mediat e të dy vendeve. Përgjigjet pritet të vijnë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe organet kompetente të hetimit.