Politikë Nr. 0044/2026

Rama merr në kabinet Vlerë Gjakovën si përgjegjëse për strategjinë e medias

Vlerë Gjakova, e lindur në Maqedoninë e Veriut, është caktuar këshilltare për çështjet e medias pranë kryeministrit Edi Rama, sipas burimeve qeveritare.

Rama merr në kabinet Vlerë Gjakovën si përgjegjëse për strategjinë e medias
Fig. 01

Vlerë Gjakova është caktuar këshilltare për çështjet e medias pranë kryeministrit Edi Rama. Emri i saj dalin nga burime qeveritare, sipas të cilave ajo e ka marrë zyrtarisht detyrën para dy javësh. Në profilin e saj në LinkedIn, Gjakova e përshkruan veten si “stratege për çështjet e medias”.

Një e-mail i dërguar nga Vilma Guri, shefe e kabinetit në kryeministri, sekretarëve të përgjithshëm të ministrive njofton rolin e re të Gjakovës. Me anë të tij kërkohet që këshilltarët e medias në çdo ministri të zhvillojnë takime me të, për t’i paraqitur strategjitë e komunikimit.

Gjakova është e lindur në Maqedoninë e Veriut dhe ka jetuar gjatë në Kosovë. Tetë vjet më parë iu bashkua Vetëvendosjes së Albin Kurtit, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2019 ishte kandidate për deputete nën siglën e saj, siç ka bërë publike vetë në rrjetet sociale. Ajo ka komentuar zhvillimet politike në Kosovë e në Shqipëri dhe ka qenë pjesë e rubrikës “Rrethi Katror” në emisionin “E Diell” në Top Channel, nën moderimin e Edi Manushit.

Në LinkedIn ajo e paraqet veten si stratege komunikimi, eksperte e energjisë së rinovueshme dhe publiciste me 18 vjet përvojë në strategjitë e medias dhe marrëdhëniet me publikun. Sipas burimeve të hapura online, ka një master në Filozofi dhe Psikanalizë pranë Qendrës Kërkimore për Filozofinë Greke dhe një tjetër në Metafizikë, Epistemologji, Filozofi Morale dhe Politike në Universitetin Aristotel të Selanikut. Studimet bachelor i ka kryer në Komunikim dhe Gazetari në Institutin Maqedonas për Media, përfshirë studime për Ekonomi dhe Tregti Ndërkombëtare.

Më parë ka punuar si strategjiste komunikimi dhe eksperte e energjisë së rinovueshme, me fokus te qytetet e zgjuara e të gjelbra dhe ekosistemet digjitale. Ka qenë zëdhënëse dhe përgjegjëse e PR-it për EVN Maqedoni. Përvoja e saj përfshin bashkëpunime me Komunën e Çairit, OJQ-në VEPRO! (ACT), Coca-Cola Ltd Kosovo dhe Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative (BIRN). Ajo është aktive si aktiviste për të drejtat e njeriut dhe ato civile, feministe dhe publiciste, dhe ka shkruar për platforma si Observatori Evropian i Gazetarisë.

Burimet dhe metodologjia

Ky artikull bazohet në burime zyrtare, dokumente, të dhëna publike dhe dëshmi të verifikuara në mënyrë të pavarur. Kemi kërkuar koment nga palët e përmendura. Personat e përmendur gëzojnë prezumimin e pafajësisë derisa të provohet e kundërta me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Dosja
Nr. 0044/2026
Publikuar
1 nëntor 2026
Përditësuar
1 nëntor 2026
Gjatësia
331 fjalë

Keni vënë re një pasaktësi? Na shkruani për korrigjim.