Investigime Nr. 0101/2026

Kompania e Gentian Sulës fiton tenderin prej 11 milionë eurosh për spitalin e IEVP-së në Shënkoll

Bashkimi i operatorëve i udhëhequr nga "Agi Kons" u shpall fitues për godinën e spitalit në IEVP Shënkoll, ndërsa pronari Gentian Sula akuzohet nga SPAK në dosjen "Veliaj".

Kompania e Gentian Sulës fiton tenderin prej 11 milionë eurosh për spitalin e IEVP-së në Shënkoll
Fig. 01

Bashkimi i operatorëve i udhëhequr nga kompania e ndërtimit “Agi Kons”, pronar i së cilës është Gentian Sula, u shpall fitues në tenderin për ndërtimin e godinës së spitalit për personat me mjekim të detyruar në IEVP Shënkoll, Lezhë. Sula akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “korrupsion aktiv të të zgjedhurve vendorë” në dosjen ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, vepër që parashikon dënim nga një deri në pesë vjet burgim.

Rezultatet i shpalli Operatori i Blerjeve të Përqendruara pak ditë më parë. Fondi limit i procedurës ishte 1 miliard lekë të reja, rreth 11.4 milionë euro. Grupi i përbërë nga “Agi Kons”, “Colombo” dhe “Deha” fitoi me ofertën 786.717.225 lekë të reja, pasi katër kompani të tjera, që kishin paraqitur vlerë më të ulët, u skualifikuan. Autoriteti kontraktor thotë në dokumentet zyrtare se ato nuk plotësonin kriteret kualifikuese.

“Agi Kons” është regjistruar në vitin 2002 dhe për një kohë të gjatë ka qenë në pronësi të Gentian Sulës si individ. Në dhjetor 2024 ai ia kaloi pronësinë shoqërisë “UK Development Holding Limited”, të regjistruar në Britaninë e Madhe. Sipas dokumenteve, pronari fundor i saj mbetet sërish Sula.

Akti i ndryshimit, i depozituar në QKB, thotë se ortaku i vetëm miratoi shkëmbimin e kuotës me shoqërinë angleze në vlerën 12.652.449 paund, ndërsa kapitali i “Agikons” është 1.501.000.000 lekë. Në përfundim të transaksionit, shoqëria do të kishte si ortak të vetëm z. Gentjan Sula.

SPAK thotë se Sula ka tentuar të fshehë një apartament të padeklaruar, në pronësi reale të Erion Veliajt. Sipas prokurorisë, ai ka hyrë në raporte korruptive me kryebashkiakun në këmbim të lejeve të ndërtimit nga bashkia.

Fillesa e zbulimit të apartamentit, sipas SPAK, ishte një dollap. Mobilieri Arlind Kodra kishte në kompjuter të dhëna për punime për Ajola Xoxen në shtëpinë te Kodra e Diellit dhe në një vilë në Qerret, mes tyre edhe një shënim “kati lart”. Ai deklaroi se në vitin 2021 Ajola e shoqëroi në një apartament mbi banesën e saj, ku bëri vetëm një dollap.

Më 14 prill 2025, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kontrolluan apartamentin në katin e pestë, mbi banesën ku jetojnë Xoxe dhe Veliaj. Kodra njohu dollapin si atë që kishte bërë. Prokurorët u rikthyen te komunikimet e sekuestruara dhe gjetën mesazhe mes Xoxes dhe arkitektit Olsi Eftimi për krijimin e shkallëve të brendshme që do të lidhnin dy apartamentet.

Eftimi pranoi se kishte shkuar në apartament, por vetëm për rregullime, pasi pikonte ujë në tavanin e shtëpisë së Xoxes. SPAK deklaron se ka të dhëna të tjera që e bëjnë atë të besojë se apartamenti është pasuri e fshehur e Veliajt dhe Xoxes.

Burimet dhe metodologjia

Ky artikull bazohet në burime zyrtare, dokumente, të dhëna publike dhe dëshmi të verifikuara në mënyrë të pavarur. Kemi kërkuar koment nga palët e përmendura. Personat e përmendur gëzojnë prezumimin e pafajësisë derisa të provohet e kundërta me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Dosja
Nr. 0101/2026
Publikuar
4 nëntor 2026
Përditësuar
4 nëntor 2026
Gjatësia
428 fjalë

Keni vënë re një pasaktësi? Na shkruani për korrigjim.